Description
“Askush nuk ka pasur një ndikim më të madh intelektual mbi mua, sesa Raimond Aroni… Po lexoj librin e tij “Paqe dhe Luftë mes Kombeve”, tepër i shkurajuar, pasi tani nuk di më se ç’ka mbetur të shkruhet rreth teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare”. Henry Kissinger “Paqe dhe Luftë midis Kombeve” është një prej veprave më të plota të shkruara ndonjëherë nga një njeri i vetëm rreth marrëdhënieve ndërkombëtare. Pikënisja e Raymond Aronit për shkrimin e kësaj vepre madhore është gjendja e natyrës, ajo gjendje që ndryshon thellësisht prej gjendjes shoqërore në gjirin e bashkësisë politike. Duke mbajtur gjithnjë parasysh këtë fakt të ashpër rreth jetës së kombeve dhe duke u projektuar gjerësisht në historinë politike dhe disiplina të tjera, Raymon Aroni zhvillon mjetet thelbësore analitike që na japin mundësinë të mendojmë qartësisht rreth çështjeve në lojë dhe mundësive në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Edhe pse ai thekson se marrëdhëniet ndërkombëtare mund të studiohen, duke gjetur deri diku edhe zgjidhjet e mundshme të problematikave të shtruara prej tyre, një ‘shkencë’ globale e marrëdhënieve ndërkombëtare mbetet një vegim. Përmes analizimit të ndikimit të forcave të ndryshme nënpolitike mbi politikën e jashtme, ai thekson se në këtë drejtim nuk ekziston një determinizëm rigoroz: politika – dhe për pasojë, nevoja për burra shteti të matur – janë diçka e paanashkalueshme në marrëdhëniet nderkombëtare. Libri është një analizë magjistrale e krejt ngjarjeve madhore të shekullit XX, me një tingëllim aktual edhe për ditët e sotme lidhur me marrëdhëniet midis fuqive të mëdha në rang botëror, përfshi këtu edhe çështjet kardinale të disuazionit bërthamor. Aroni analizon ngjarjet që kanë pasur një impakt mbi politikën e jashtme dhe lindjen e asaj që ai e quan ‘historia universale”. Së fundmi në “prakseologjinë” e tij, Aroni artikulon një teori marrëdhëniesh ndërkombëtare që hedh njëherazi poshtë si vizionin e zymtë të makiavelianëve mbi çështjen e marrëdhënieve ndërkombëtare, për të cilët, çdo qëllim justifikon mjetin, ashtu edhe naivitetin e idealistëve, të cilët mendojnë se politika e jashtme dhe Realpolitika mund të tejkalohen..